Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të premte në aksin Prizren–Suharekë, ku një automjet me targa shqiptare është përplasur me një kamion, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy grave.
Viktimat janë Elizabeta Katija, 43 vjeçe, drejtuese e automjetit dhe kryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, si dhe Eorda Sinollari, 32 vjeçe, pasagjere në mjet. Të dyja ndërruan jetë në vendngjarje si pasojë e përplasjes së fortë.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë moti i keq dhe mjegulla e dendur që ka vështirësuar dukshmërinë në rrugë.
Elizabeta Katija ishte një figurë e njohur në fushën e biznesit, e angazhuar në mënyrë aktive në takime dhe aktivitete ndërkombëtare. Ndërkohë, Eorda Sinollari ushtronte profesionin e konsulentes së biznesit në Gjermani dhe ishte gjithashtu e njohur në rrethet profesionale.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë edhe drejtuesi i kamionit, Munish Grajçefci, i cili po merr trajtim mjekësor në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.

