Komunikatë e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës
Operacioni “Qielli i Thyer”, arrestohen shtatë persona
Prishtinë, 24 Shtator – Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën është zhvilluar një operacion policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.
Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.
Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:
- 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; • Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike; • 11,065 euro para të gatshme; • 34 automjete; • Shtatë (7) armë zjarri; • Dokumente personale me identitet të rremë; • Pajisje elektronike; • Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.
Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë ligjin dhe rendin.