Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për një incident të rëndë të ndodhur më 23 prill 2024, ku një lokal u sulmua me eksploziv, duke shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe dëme materiale.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri B.K. ka hedhur një eksploziv në lokal rreth orës 01:10 të mëngjesit, pasi ishte furnizuar me 1.5 litra derivate, të cilat i kishte përdorur për t’i vënë zjarr vendit të ngjarjes. Ai gjithashtu akuzohet për “kanosje”, pasi ka kërcënuar zyrtarët policorë gjatë dhe pas arrestimit.
Gjithashtu, gjashtë persona të tjerë – A.R, A.M, T.M, E.B, A.K dhe Y.D – akuzohen për lëndim të lehtë trupor, pasi pas shpërthimit kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit me grushte dhe shqelma.
Tre persona të tjerë – M.E, D.B dhe L.A – akuzohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërkohë, i pandehuri A.R. përballet me një akuzë shtesë për dëmtim të pasurisë së huaj, pasi natën kritike ka shpuar me thikë gomat e një veture të përdorur në incident.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.