Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se së fundi janë regjistruar fluturime të dyshimta të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilët dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë.
Ai tha se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe se situata po monitorohet nga afër.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet e sigurisë.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se edhe partnerët ndërkombëtarë janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia për hapësirën ajrore i takon KFOR-it.
🛑 Ekskluzive Qendra.info: Nga burime të sigurta, portali mëson se dronë të dyshimtë nuk janë parë vetëm në kufi, por shpesh edhe në afërsi të Burgut të Sigurisë së Lartë (“Dyzit”) pranë Podujevës, duke ngritur shqetësime shtesë për sigurinë.