Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njofton se kryetari i saj, Ali Ahmeti, më 17 tetor, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet partiake dhe të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Protesta, me moton: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”, nis në orën 17:00 dhe është thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
BDI thekson se lufta e popullit shqiptar, e prirë nga UÇK-ja, ka qenë një luftë e drejtë dhe e domosdoshme, e mbështetur nga gjithë bota demokratike. Ahmeti e konsideron drejtësinë për shqiptarët një kauzë që nuk mund të ndërtohet mbi procese politike të imponuara dhe dëshmi të fabrikuara.
Ai u shpreh i vendosur që, për shkak të rëndësisë së çështjes, prioriteti i tij do të jetë pjesëmarrja në këtë protestë, duke lënë mënjanë aktivitetet zgjedhore.