Tiranë, 1 Tetor 2025 – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është nderuar sot me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Evropian i Tiranës (UET).
Lajmin e bëri publik vetë Ahmeti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se ky vlerësim lidhet ngushtë me kontributin e tij në sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën euroatlantike.
“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju, për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku në këtë rrugë të gjatë. Jam mirënjohës për këtë nderim dhe i vendosur që të vazhdojmë punën për çështjen kombëtare dhe për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, – shkroi Ahmeti.
Ky titull përfaqëson një nga nderimet më të larta akademike që u jepet personaliteteve me kontribut të veçantë në shoqëri, paqe dhe zhvillim demokratik.