Prishtinë, 19 dhjetor 2025 – Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se ish-kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në Shqipëri, Altin Dumani, është angazhuar në Kosovë me qëllim shkëmbimin e përvojës dhe ekspertizës me institucionet e drejtësisë.
Në një njoftim zyrtar, Ambasada britanike bëri të ditur se përfaqësues të saj janë takuar sot me Dumanin, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
“Jemi të kënaqur që ekipi ynë u takua sot me Altin Dumanin për të diskutuar lehtësimin, në të ardhmen e afërt, të shkëmbimit të njohurive, ekspertizës dhe përvojës profesionale me institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës. Ky angazhim, i mbështetur përmes projektit tonë, nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit praktik dhe rajonal në forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Altin Dumani është në përfundim të mandatit të tij në krye të SPAK-ut, pas zgjedhjes së Klodjan Brahës si drejtues i ri i këtij institucioni. Gjatë tri viteve të udhëheqjes së SPAK-ut, Dumani drejtoi hetime dhe operacione të rëndësishme që çuan në arrestimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Shqipëri.
Angazhimi i tij në Kosovë pritet të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit.

