Ambasada e Gjermanisë në Kosovë nuk e merr për shqetësim të njëmendtë institucional denoncimin në këtë kohë – menjëherë pas shpalljes së Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës – që partia Vetëvendosje përmes kandidates së rrëzuar për 54 herë për kryeparlamentare, Albulena Haxhiut bëri ndaj Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban, si agjent dhe bashkëpunëtor të BIA-s famëkeqe serbe, bazuar në informata që u tha të kenë ardhur nga Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI).
Llaban u konstatua nga Albulena Haxhiu të jetë “rrezik për sigurinë kombëtare” dhe bëri thirrje nga Gjykata Kushtetuese të inicojë procedura për shkarkimin e tij dhe për Prokurorinë Speciale të veprojë mbi bazën e atyre informaiconeve të AKI-së – për çka nuk tregoi nëse janë materializuar si prova për ndjekje penale të Llabanit.
Por, pa-një-pa-dy, Haxhiu u shpreh më sigurinë më të madhe supra-faktike se Llaban është agjent i shërbimeve sekrete informative të Serbisë – i njëjti Llaban që ka marrë vendime në favor të Vetëvendosjes por asnjëherë i shqiptuar publikisht nga ta çka sot e konstatuan të jetë.
Ambasada e Gjermanisë në një përgigje me shkrim për Nacionale kritikon ashpër pushtetin në detyrë të Vetëvendosjes për “akuza politikisht të motivuara” ndaj Radomir Llaban në dritën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtuese, për çka tha se “akuzat…duhet të ngriten në mënyrë të qartë dhe të rregullt në përputhje me procedurat ligjore”.
“Si një institucion kyç demokratik në një vend të pavarur, është jetike që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë në gjendje të kryejë në mënyrë të pavarur mandatin e saj. Sulmet personale kundër gjyqtarëve – vetëm sepse një vendim nuk është i pëlqyer – janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin dhe pavarësinë e Gjykatës. Akuzat kundër gjyqtarëve të emëruar në mënyrë demokratike duhet të paraqiten në një mënyrë të qartë dhe të rregullt në përputhje me procedurat e duhura ligjore”, thanë nga Ambasada e Gjermanisë.
“Ne e mbështesim plotësisht Gjykatën Kushtetuese dhe i shohim me shqetësim akuzat e motivuara politikisht që pengojnë funksionimin e saj efektiv, veçanërisht në një kohë kur Parlamenti ende nuk ka arritur të përmbushë detyrat e tij për të përfaqësuar qytetarët e tij që kanë votuar më shumë se gjysmë viti më parë”, thanë nga ambasada gjermane.
Çfarë ka thënë VV?
Albulena Haxhiu në një konferencë për media ku doli të kundërshtojë dhe kritikojë Aktgjykimit e Gjykatës Kushtetuese – e cila Gjykatë po mbijeton në vendimmarje me kuorum minimal, me 7 gjyqtar nga 9 sa duhet t’i ketë – tha se Radomir Llaban është shërbyes i BIA-s së Serbisë dhe përbën rrezik ndaj sigurisë kombëtare.
Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe udhëheqësin e sulmit paraushtarak ndaj Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shkurt, 2023. “Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha Haxhiu.
“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo./Periskopi/