Ambasada tha se lideri i vetëshpallur i këtij sulmi, Milan Radoiçiqi, vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi, ndërsa vazhdon të mos ketë drejtësi për vrasjen e policit Afrim Bunjaku pavarësisht premtimeve.
“Kanë kaluar dy vjet që nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë, dhe megjithatë, udhëheqësi i vetëdeklaruar i sulmit, Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi. Kanë kaluar dy vjet nga vrasja e zyrtarit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe pavarësisht premtimeve të ndryshme se autorët do të dalin para drejtësisë, ende nuk është vendosur drejtësi. Kjo mosndëshkueshmëri e qartë është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të vendosen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, ka shkruar ambasada gjermane.
Sulmin terrorist të Banjkës e kanë përkujtuar edhe misionet tjera diplomatike në vend krahas kërkesës për vendosje të drejtësisë.