Një sondazh i ri i Gallup tregon se vetëm 54% e të rriturve në SHBA pinë alkool – niveli më i ulët në 30 vitet e fundit. Po ashtu, 53% e të rriturve besojnë se edhe pirja e moderuar është e dëmshme për shëndetin, krahasuar me 28% në vitin 2015.
Ky skepticizëm është më i fortë tek të rinjtë, të cilët besojnë se edhe “një ose dy gota në ditë” mund të jenë të rrezikshme, por edhe të moshuarit po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm. Sipas sondazhit, madje edhe ata që konsumojnë alkool, po pijnë më pak.
Para pandemisë COVID-19, konsumi i alkoolit në SHBA ishte në rritje, por sondazhe të tjera federale kanë treguar ulje të pirjes, veçanërisht tek adoleshentët dhe të rinjtë. Trendi është i ngjashëm edhe në disa vende evropiane, si Belgjika, shkruan burimi Euronews Health.
Ndryshimi në qëndrime vjen bashkë me rritjen e provave shkencore që lidhin alkoolin me pasoja negative shëndetësore, përfshirë kancerin.
Dikur besohej se pirja e moderuar kishte përfitime për zemrën, por studimet e hershme ishin të kufizuara dhe nuk provonin shkakun.
Sot, konsensusi shkencor ka ndryshuar dhe disa vende kanë ulur rekomandimet zyrtare për konsum.
Udhëzimet aktuale në SHBA këshillojnë të mos pihet fare ose të kufizohet në maksimum dy gota në ditë për burrat dhe një për gratë.
Ish-kirurgu i përgjithshëm Vivek Murthy ka propozuar etiketa paralajmëruese për lidhjen mes alkoolit dhe kancerit.
Qeveria amerikane pritet të publikojë rekomandime të reja më vonë këtë vit.