Pas gati dy dekadash në arrati, autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut kanë arrestuar Hamdi Bajramin, i njohur me nofkën “Komandant Breza”, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar që nga viti 2003.
Sipas informatave të publikuara nga INA (Agjencia Informative e Maqedonisë), arrestimi është bërë nga njësitet e sigurisë pas një aksioni të organizuar në fshehtësi të plotë. Bajrami është kapur në një vend që nuk është bërë ende publik për arsye hetimore.
Në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai figuron me mbiemrin Bajramovski, dhe ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës Themelore Shkup II, për vepra të rënda penale, përfshirë ato të përshkruara në nenin 237 të Kodit Penal.
Nuk janë dhënë ende detaje të plota për natyrën e veprave për të cilat ai akuzohet, por burimet thonë se bëhet fjalë për krime të rënda, të ndërlidhura me periudhën e pas-konfliktit në Maqedoni.
Ky arrestim pritet të hapë edhe një herë çështje të vjetra penale dhe të rikthejë në fokus persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarjet e asaj kohe.
Qendra.Info do të sjellë informacione shtesë sapo të konfirmohen nga autoritetet zyrtare.