Tiranë, 30 tetor 2025 – Policia e Shtetit ka zbuluar një arsenal të madh armësh në një furgon të kamufluar si mjet për mirëmbajtjen e rrugëve, me logon e kompanisë “Gener 2”. Mjeti ishte parkuar në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet, ndërsa brenda tij u gjetën 23 armë zjarri, mes tyre 5 snajperë.
Në pranga ka përfunduar Eugert Sino, 34 vjeç, pronari i furgonit, i cili dyshohet të jetë pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, aktualisht në kërkim nga SPAK për vrasje dhe pastrim parash. Sipas hetimeve paraprake, Sino ka punuar më herët si banakier në lokalin “Monopol”, në pronësi të Hoxhës.
Armët e sekuestruara dyshohet se janë trafikuar nga disa shtete të huaja dhe kanë hyrë në Shqipëri përmes Kosovës, për t’u përdorur më pas në ngjarje kriminale nga grupe të strukturuara që veprojnë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa dyshohet se baza kryesore e grupit ndodhej pranë zonës ku u gjet furgoni.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrjetin e plotë të trafikut të armëve dhe destinacionin final të arsenalit të sekuestruar./Qendra.INFO

