Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është shtrenjtuar ndjeshëm gjatë muajit qershor 2025 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), energjia elektrike ka pësuar një rritje prej 17.8%.
Inflacioni vjetor në qershor 2025 është regjistruar në 4.3%, ndërsa inflacioni mujor krahasuar me majin ishte 0.7%.
Çmimet më të larta janë vërejtur te kafeja, çaji dhe kakaoja me 18.2%, pemët me 14.8%, pushimet e organizuara me 13.3%, mishi me 12.8%, si dhe tek shërbimet për automjete, vajrat dhe yndyrat, shërbimet hoteliere, perimet dhe shërbimet ambulatore.
Rritje janë shënuar gjithashtu edhe te mallrat ushqimore, produktet e higjienës, librat, këpucët dhe shërbimet për mirëmbajtjen e banesave.
Nga ana tjetër, disa çmime kanë shënuar rënie. Karburantet dhe lubrifikantët për automjete janë liruar me 5.3%, lëndët djegëse si drutë dhe peletët me 4.5%, ndërsa biletat e fluturimeve me 3.2%.
Krahasuar me muajin maj, vërehet një rritje mujore te pushimet e organizuara me 10.4%, energjia elektrike me 5.4%, pemët me 5.1%, kafeja, çaji dhe kakao me 2.3%, dhe karburantet me 2.1%. Rënie mujore është regjistruar vetëm te perimet, me 5.6%.
Këto ndryshime pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetet familjare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.