Ish-diktatori sirian Bashar al-Assad, i rrëzuar nga pushteti para 10 muajsh, ka marrë azil politik në Rusi, njofton Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, duke cituar një “burim privat”. Ai dyshohet të jetë liruar të hënën nga një spital në periferi të Moskës, ku po qëndronte në një gjendje kritike pas një helmimi të mistershëm.
Vetëm vëllait të tij, Maher Assad, iu lejua ta vizitojë gjatë një operacioni sigurie. Qeveria ruse nuk ka komentuar mbi këto pretendime, ndërsa autoritetet e reja siriane kanë kërkuar ekstradimin e tij, një kërkesë që Rusia deri më tani e ka refuzuar.
Raportohet se presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë azil Assad-it, së bashku me familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Assad, 60 vjeç, nuk është parë publikisht që nga mbërritja në Rusi dhe dyshohet të mbahet nën mbikëqyrje të rreptë nga shërbimet sekrete ruse.
Një raport paraprak tha se pas mbërritjes në Rusi, Assad “u ankua për vështirësi në frymëmarrje dhe ndjesi të dobësisë”, por ende nuk ka prova të pavarura që konfirmojnë helmimin.