Prishtinë, 10 tetor 2025 – Radio Televizioni i Kosovës (RTK) publikoi të premten një audio-incizim ku përfshihet i arrestuari për spiunazh, Fatmir Sheholli, dhe dy persona të tjerë.
Sipas raportimeve të “Betimi për Drejtësi”, burimet kanë konfirmuar se bashkëbiseduesit në incizim janë deputetja Duda Balje dhe një person me emrin Amir Rrustemoviq.
Gazetarët e “Betimi për Drejtësi” kontaktuan Amir Rrustemoviqin, i cili konfirmoi për këtë medium se në audio-incizim janë ai dhe deputetja Duda Balje. Ai tha:
“Po, edhe me Fatmir Shehollin.”
RTK nuk ka bërë ende komente zyrtare mbi autenticitetin ose përmbajtjen e audio-incizimit. Ky zhvillim vjen në një kohë kur çështja e Fatmir Shehollit vazhdon të jetë objekt interesimi të madh publik për shkak të akuzave për spiunazh.
Betimi për Drejtësi do të vazhdojë të ndjekë ngjarjen dhe do të sjellë detaje të mëtejshme sapo të konfirmohen informacionet.