Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur shqetësime për paqartësitë që, sipas tij, shoqërojnë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Ai tha se ndonëse afati është përcaktuar, gjykata nuk ka saktësuar se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet.
I ftuar në emisionin Tëvë1, Bajraktari theksoi se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme për të gjitha institucionet, por në këtë rast konkret ka pasur mungesë të qartësisë në dispozitivin e aktgjykimit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, por në këtë rast mungon saktësimi i pasojës në rast se afati kalon pa konstituim,” tha ai.
Sipas tij, edhe pse pjesa arsyetuese e aktgjykimit është e qartë dhe mirëargumentuar, ajo nuk jep përgjigje të drejtpërdrejtë për disa prej çështjeve të ngritura nga subjektet politike. Kjo, sipas tij, ka krijuar vakuum interpretues në nivel institucional.
“Do të ishte me rëndësi që gjykata të kishte trajtuar qartë edhe veprimet e kryesuesit teknik të Kuvendit para shpalljes së aktgjykimit, për të ditur nëse ato ishin në përputhje me Kushtetutën,” shtoi ai.
Avokati nënvizoi se një aktgjykim i qartë dhe i plotë do të eliminonte dilemat ligjore dhe hapësirat për interpretime të ndryshme, të cilat mund të prodhojnë paqartësi ose krizë institucionale.
“Gjykata caktoi afatin, por jo pasojën. Në këtë mënyrë, aktgjykimi mbetet i paplotë në aspektin praktik,” përfundoi Bajraktari.