Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot drejtuesin e ri të Autoritetit Portual të Durrësit, Liburn Aliun, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë Kreshnik Bajraktarin.
Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se e njeh mirë Aliun që nga koha kur ai mbante postin e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, duke vlerësuar eksperiencën e tij në fushën e infrastrukturës dhe menaxhimit publik.
“Kam pasur rastin të bashkëpunoj me Liburnin kur ai ka qenë ministër në Kosovë. E njoh si një profesionist të përkushtuar dhe jam e bindur se do t’i japë një drejtim të ri zhvillimit të Portit të Durrësit,” – deklaroi Balluku.
Emërimi i Liburn Aliut vjen në një periudhë të rëndësishme për projektet strategjike të portit, përfshirë transformimin e tij në një qendër moderne logjistike dhe turistike në kuadër të investimeve të mëdha rajonale.
Ndërkohë, drejtori në detyrë, Kreshnik Bajraktari, pritet të vijojë angazhimin në strukturat e tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë./Qendra.INFO

