Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas polemikave të ashpra që janë ngritur në publik dhe media rreth një punimi të publikuar në vitin 2012, ku përfshihen pretendime që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha ka mohuar çdo lidhje me përmbajtjen e kontestuar, duke sqaruar se autorësia e tij në punimin në fjalë kufizohet vetëm në një kapitull specifik.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë.”, ka shkruar ai.
Sipas Bashës, edhe vetë autorja e raportit, Jana Arsovska, e ka konfirmuar përmes një emaili që Basha ka qenë përgjegjës vetëm për Kapitullin 3 dhe jo për pjesët që përmendin UÇK-në apo figura të saj.
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë.”, shtoi ai.
Kryeparlamentari gjithashtu u kërkoi ndjesë qytetarëve të shqetësuar nga, siç e quajti ai, “raportimi i rremë”, dhe u bëri thirrje mediave për raportim të saktë dhe të përgjegjshëm, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme kombëtare.
“I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës.”, përfundoi Basha.