Sipas Policisë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), përkatësisht Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN) në Prishtinë, pas një hetimi disamujor, ka finalizuar me sukses rastin e koduar “Driver”, i cili ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të dy personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme të shitblerjes së substancave narkotike.
Policia njofton se gjatë hetimit janë grumbulluar dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë përfshirjen e të dyshuarve në shitblerjen e lëndëve narkotike në rajonin përkatës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Policia bën të ditur se ka realizuar bastisje në tri lokacione: një në fshatin Dumosh të Podujevës, në Podujevë dhe një në Prishtinë.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar sasi të substancave narkotike, telefona mobil, para të gatshme, vetura dhe dëshmi tjera relevante për rastin. 810.5 gr substancë e dyshuar e llojit heroinë, 137 gr substancë e dyshuar e llojit kokainë, 9 gr substancë e dyshuar e llojit marihuanë, një peshore, dy vetura, dy telefona mobil, para të gatshme 895 euro dhe 50 frang zvicerane”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se dy të dyshuarit, me vendim të prokurorit ndalohen për 48 orë.
“Po ashtu, pas një pune operative, njësitë relevante policore kanë realizuar edhe një operacion ku kanë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në shit-blerje të substancave narkotike. Gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar: 12.1 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, një peshore për matjen e substancave narkotike, katër telefona mobil, para të gatshme 190 euro”, njofton Policia.
Policia njofton se me vendim të prokurorit pas intervistimit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.