Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, të cilin e ka vlerësuar si “të shkëlqyer”.
Hamza ka bërë të ditur se Ambasadori Guerot e ka njoftuar se letra e tij për heqjen e të gjitha sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës i është përcjellë kabinetit të Presidentit Emmanuel Macron.
“Populli i Kosovës e meriton mbështetjen, pavarësisht se kush është në qeveri,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për nevojën e kthimit të normalitetit dhe stabilitetit në vend.
Hamza ka theksuar se si kryeministër i ardhshëm, fokusi i tij do të jetë “rikthimi te temat e bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik me aleatët tanë”.
Në fund, ai ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së dialogut të hapur me partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se Kosova ka nevojë për aleanca të forta dhe mbështetje të qëndrueshme në rrugën e saj shtetformuese.

