Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka nisur ditën e sotme me një takim me mikun e madh të Kosovës, William Walker, në kuadër të ditëve të nderimit për viktimat e Masakrës së Reçakut.
Në një postim, Hamza rikujtoi rolin historik të ambasadorit Walker në janarin e vitit 1999, kur ai i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.
“Miqësia dhe kontributi i ambasadorit William Walker për Kosovën janë të jashtëzakonshme. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për Kosovën, ambasador!”
Hamza theksoi se prania e ambasadorit Walker në këto ditë përkujtimi, si çdo vit, është dëshmi e lidhjes së veçantë me Kosovën dhe e mbështetjes së vazhdueshme për të vërtetën dhe drejtësinë historike.

