Durrës, 6 tetor 2025 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka hapur sot Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit që po zhvillohet në Durrës, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si çelës për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij hyrëse, Begaj nënvizoi se Shqipëria, së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë, si bashkëkryesuese të procesit, po synojnë të thellojnë dialogun rajonal dhe të avancojnë axhendën e integrimit evropian.
“Sot Shqipëria mikëpret Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë, si bashkëkryesues të Presidencës së Brdo-Brijunit. Ne vlerësojmë rolin e kësaj platforme si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal,” – deklaroi Begaj.
Ai shtoi se temat që po diskutohen gjatë samitit lidhen ngushtë me:
-
bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë,
-
procesin e integrimit evropian dhe Planin e Rritjes së BE-së,
-
si dhe me rininë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar në vendet e rajonit.
“Shqipëria mbështet dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe integrimin evropian. Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, dhe duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për rezultate më të prekshme,” – theksoi Presidenti Begaj.
Samiti i Brdo-Brijunit është një nismë e përbashkët e Kroacisë dhe Sllovenisë, që synon të forcojë stabilitetin, dialogun politik dhe rrugën e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.
Në takim marrin pjesë liderët e rajonit, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe diplomatë të lartë ndërkombëtarë.