Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg. Ai e përshkroi drogën si “kërcënimin më të madh ekzistencial” për Shqipërinë dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka instaluar një “sistem të thellë përgjimi të internetit”.
Berisha u shpreh se votimi i programit katërvjeçar të qeverisë është bërë në mënyrë të shpejtë dhe në shkelje të Kushtetutës dhe rregullave të Parlamentit. “Programi i qeverisë u votua për vetëm 28 minuta pa debat, një proces që ishte pjesë e një skenari të përgatitur mirë”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se qeveria ka ngritur një sistem përgjimi dhe censurimi të internetit, duke përmendur rastin e bllokimit të platformës TikTok. Berisha paralajmëroi se opozita po verifikon informacionet në lidhje me këtë çështje.
Në fjalën e tij, Berisha shkoi edhe më tej me akuza të rëndë: “Ka shumë të dhëna të qarta se përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë zhvilluar një takim në Aruba me drejtues të karteleve më të larta të drogës”, deklaroi ai. Berisha tha se ka dokumente dhe materiale që do t’i prezantojë për këtë çështje.
Ai përshkroi gjithashtu Kryeministrin Rama si një figurë që vepron si “emir”, duke shkarkuar kryebashkiakë, këshilltarë dhe drejtorë sipas dëshirës, duke eliminuar autonominë vendore.
Berisha theksoi se këto fenomene përbëjnë kërcënime të mëdha për demokracinë dhe sigurinë në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrje dhe vëmendje nga partnerët ndërkombëtarë.
Deklaratat e tij pritet të krijojnë një debat të gjerë politik në Shqipëri, ndërkohë që opozita paralajmëron për masa ligjore dhe hetime të mëtejshme.