Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas vendimit të Presidentes së Kosovës për të tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese, duke përmendur si arsye caktimin e gjyqtarit Radomir Llaban si raportues të rastit, shkruan Gazeta Metro.
Sipas Cakollit, është legjitime që institucionet të kenë rezerva ndaj figurave të caktuara, sidomos kur ekzistojnë informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë për cenim të rendit kushtetues, por nëse pas tetë vitesh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal ndaj Llabanit, atëherë është e vështirë të justifikohet tërheqja e kërkesës vetëm për shkak të emërimit të tij si gjyqtar raportues.
“E vërteta është që gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit. Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës”, tha Cakolli në një postim në Facebook.
Tutje Cakolli tha se edhe nëse Presidentja e tërheq kërkesën, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin e saj në rast se konstaton interes publik madhor.
“Për më tepër, tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj. Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor. E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, tha ai.
Ndërkaq, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur të martën se e ka tërhequr kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, për mbrojtjen e rendit kushtetues pas bllokimit të konstitumit të Kuvendit, pasi gjyqtar u caktua serbi Radomir Laban. /gazetametro.net