Ish-administratorja e çerdhes “Botanika”, Qëndresa Makolli, e cila dyshohet se ka përpiluar dhe dërguar një listë të dyshimtë në Komunën e Prishtinës, po vazhdon të gëzojë benefite jo meritore nga ky institucion, pavarësisht shkarkimit nga detyra që një vit më parë.
Sipas burimeve të gazetës Nacionale, Makolli i dërgon ende dy fëmijët e saj në çerdhen “Botanika”, por dyshohet se nuk po kryen pagesën e plotë për shërbimet e ofruara. Burimet pohojnë se ajo ka borxh ndaj institucionit dhe se po përfiton nga një skemë zbritjeje që u takon vetëm anëtarëve aktualë të stafit të “Botanikës” – edhe pse ajo nuk është më pjesë e tij.
Vetë çerdhja “Botanika” e ka pranuar situatën në një përgjigje zyrtare për Nacionalen: “OJQ I.P. ‘Botanika’, në baza mujore, ka faturuar dhe ka lëshuar faturat për zonjën në fjalë për shërbimet që përfitojnë fëmijët e saj. Për pjesën e pakompletuar të pagesës, OJQ I.P. ‘Botanika’ e ka kontaktuar zonjën përkatëse dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore. Lidhur me këtë çështje, janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe aktualisht procedurat përkatëse janë në vazhdim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Për më tepër, burimet e Nacionales kanë zbuluar se Makolli ka refuzuar të nënshkruajë kontratë të re me çerdhen për fëmijët e saj, duke krijuar kështu një situatë të paqartë ligjore për vijueshmërinë e tyre.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se është në dijeni të rastit dhe se po vepron sipas kompetencave ligjore. “Për të gjithë personat që nuk kanë kryer pagesat përkatëse, Prokurori i Shtetit dhe hetuesit policorë janë të informuar dhe po veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore. Po ashtu, siç ju kemi njoftuar edhe më herët, Prokurori kompetent, me vendim, ka angazhuar një ekspert të pavarur financiar. Gjatë këtij procesi do të kryhen edhe ekspertiza të tjera financiare për vitet paraprake, pa u kufizuar vetëm në vitin për të cilin dyshohet,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i znj. Makolli i ka mohuar pretendimet financiare. Në një përgjigje për Nacionalen, ata kanë theksuar: “Siç e kemi njoftuar IP Botanikën ashtu po ju njoftojmë edhe juve se e njëjta është duke kryer obligimin sipas kontratës në fuqi dhe se: Lidhur me pretendimet financiare, ju bëjmë me dije se prindërit kanë një kontratë ekzistuese dhe në fuqi, të cilën e kanë zbatuar në mënyrë të rregullt dhe të plotë. Çdo pretendim financiar që del jashtë kësaj kontrate: nuk mund të prodhojë efekt juridik mbi prindin; nuk mund të përdoret si mjet presioni ndaj familjes; nuk mund të ketë ndikim mbi vijueshmërinë e edukimit të fëmijëve.”/Nacionale.

