Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

“Ç’është ajo që kam dëgjuar, që nuk i keni rënë ballit Ramiz Alisë?” – Fjalët e Edi Ramës pas mbërritjes së vonuar në themelimin e PD-së

Enesa Veseli by Enesa Veseli
10/12/2025
in Lajme
0
“Ç’është ajo që kam dëgjuar, që nuk i keni rënë ballit Ramiz Alisë?” – Fjalët e Edi Ramës pas mbërritjes së vonuar në themelimin e PD-së
0
SHARES
26
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Në librin “Fillimet”, botuar nga UET PRESS, Preç Zogaj tregon momentin kur Edi Rama u kthye në Shqipëri në dhjetorin e vitit 1990. Ndërsa në Tiranë po niste rebelimi studentor, Rama ndodhej në Greqi, i larguar pa dashje nga ngjarjet për të cilat kishte përgatitur prej javësh përballjen e tij politike me Ramiz Alinë. Kur u kthye dhe mori vesh çfarë kishte ndodhur gjatë mungesës, ai e përjetoi si goditje personale: drejtuesit e Partisë Demokratike tashmë ishin zgjedhur dhe roli që kishte ëndërruar për veten ishte zënë nga të tjerë.

Në mbledhjen e PD-së më 13 dhjetor, Rama ndjeu se disa prej nismëtarëve nuk e donin pranë, ndërsa tensioni me Gramoz Pashkon nxori në pah rivalitetin për pozicionin e “disidentit” brenda partisë. I zhgënjyer, ai akuzoi PD-në se po ofronte një opozitarizëm të zbutur ndaj Partisë së Punës dhe u largua me bindjen se oportunizmi kishte zëvendësuar radikalizmin e pritur. Më vonë, pa gjetur hapësirë politike aty, Rama do t’i bashkohej Partisë Socialiste, duke u bërë më pas kryetar i saj.

Në fillim të dhjetorit 1990 besohej se kushtrimi i rebelimit rinor antikomunist do të vinte nga Artet. Në fakt kjo profeci nuk ishte gabuar: më 8 dhjetor, pak orë përpara protestës së parë studentore në “Qytetin Studenti”, në sallën e Arteve zhvilloheshin homazhe për 10-vjetorin e vrasjes së Xhon Lenonit—një prelud i padukshëm i stuhisë politike që po ngrihej.

Edi Rama nuk ishte në Tiranë atë mbrëmje. Ishte nisur në Greqi me të atin, sikur fati t’i kishte punuar një rreng, duke e mbajtur larg arenës së ngjarjeve. Aty, i verbër ndaj zhvillimeve në Shqipëri, vazhdonte të përpunonte idetë e tij për një duel politik me Ramiz Alinë. Ndoshta pikërisht në orën kur zhvillohej takimi historik i 11 dhjetorit mes studentëve dhe Presidentit, Rama ishte duke imagjinuar në një ballkon në Greqi përballjen e tij imagjinare me të.

Kur më në fund mësoi çfarë kishte ndodhur, ai u përfshi nga një furtunë mendimesh, sikur Alia dhe njerëzit e tij ta kishin larguar me qëllim për të zhvilluar pas kurrizit të tij atë që Rama kishte planifikuar të bënte haptazi.

Me të mbërritur në Tiranë më 13 dhjetor, ai u drejtua menjëherë drejt kinoklubit “Studenti”, ku ishin mbledhur drejtuesit e rinj të partisë së sapoformuar. Donte t’i shihte me sy: kush ishin ata që kishin marrë rolin që ai kishte ëndërruar? Shumë prej tyre i njihte — Gramozi, Arben Imami, Blendi Gonxhja, vetë Preç Zogaj — ndërsa ata që nuk i njihte, e njihnin atë. Por sërish nuk ndihej mirë. Disa shfaqnin indiferencë, gjë që e mërziste më shumë se dëshira e të tjerëve për ta përfshirë.

Arben Demeti, gjithmonë i vëmendshëm, e ftoi të ulej pranë drejtuesve kryesorë, madje e përfshiu në grupin e punës për organizimin e partisë, siç është shënuar në procesverbalin e mbajtur nga studentja Ilenja Mëhilli. Rama u ul për pak, por nuk e gjeti veten. Katërditëshi i mungesës sikur kishte hapur një humnerë mes tij dhe nismëtarëve.

Edi Rama hyri në PD për pak, thjesht për të parë e për të dëgjuar. Fytyra i tregonte nervin e dikujt që ndihej i lënë jashtë diçkaje që e konsideronte pjesë të vetes. “Ç’është ajo që kam dëgjuar, që nuk i keni rënë ballit Ramiz Alisë? Jo vetëm s’i keni rënë ballit, por e keni ngritur në qiell! E kujt është kjo parti që ngre në qiell sekretarin e parë të Partisë së Punës?” — thuhet se i ka shprehur ai, atë natë ose pak më vonë.

Aty po përgatitej një komunikatë për të dënuar aktet e thyerjes së dyqaneve në Shkodër, të cilat nuk kishin lidhje me protestat kundër regjimit. Te dera, Rama dhe Pashko shkëmbenin fjalë të tensionuara. Kur u kthyen autorët e komunikatës nga RTSH-ja, morën vesh se Rama, në largim, kishte deklaruar se PD nuk ishte parti opozitare, por vetëm “oponente” e Partisë së Punës.

Në një kuptim të ngushtë terminologjik ai mund të kishte të drejtë, por jo në substancë: PD-ja sapo kishte përcaktuar parimet e saj të shoqërisë së hapur dhe qasjes së re politike. Nuk ishte disa fjali të kujdesshme retorike ajo që e përkufizonte.

Rama e ndjeu qartë se disa prej nismëtarëve ambiciozë nuk e donin pranë. Pashko, i shtyrë nga të tjerët “të sqarohej”, i dha ndjesinë se nuk kishte vend për dy disidentë nga periferia e bllokut në majë të partisë së parë antikomuniste. Kështu, Rama u largua me pamjen e një personi që nuk e dëbojnë, por që po ikën nga zhgënjimi ndaj “oportunizmit ramizist” që i shihte aty.

Më pas, duke dashur t’i jepte kuptim këtij largimi, Rama u pozicionua si antikomunist radikal — por pa krijuar dot një grupim të tillë. Dhe, si për të vërtetuar idenë se disa pinjollë rebelë të familjeve të regjimit nuk e kishin luftën me komunizmin, por me pushtetin, Rama do të merrte 13 vjet më vonë teserën e Partisë Socialiste dhe do të zgjidhej kryetar i saj.

Related

Previous Post

Mehmetaj: Gjendja në veri është mirë veç për Vuçiqin

Next Post

Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

Next Post
Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.