Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ftuar përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës për t’u bërë pjesë e një trupi të ri këshillues të quajtur Bordi i Paqes për Gazën, ku përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria.
Kjo iniciativë vjen si pjesë e fazës së dytë të armëpushimit të arritur ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, me synim mbështetjen e paqes dhe stabilitetit në Rripin e Gazës.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Bordi i Paqes për Gazën është një organ këshillues, i cili nuk ka fuqi ekzekutive ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), por synon të ndikojë në proceset negociuese përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Iniciativa është projektuar si një platformë diplomatike që do të fokusohet në çështje si ndërtimi i kapaciteteve qeverisëse, rindërtimi i Gazës, stabilizimi i jetës së përditshme, tërheqja e investimeve dhe mobilizimi i financimit në shkallë të gjerë.
Kosova në këtë bord do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Shqipëria nga kryeministri Edi Rama.
Megjithatë, jo të gjitha vendet e kanë mirëpritur këtë iniciativë. Franca ka refuzuar zyrtarisht ftesën, gjë që është konfirmuar nga presidenti Emmanuel Macron, ndërsa mediat raportojnë se edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, pritet ta refuzojë pjesëmarrjen.
Përbërja e Bordit të Paqes
Sipas informacioneve të publikuara, Bordi i Paqes për Gazën kryesohet nga presidenti amerikan Donald Trump dhe përfshin figura të njohura politike dhe financiare, si:
-
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio
-
Steve Witkoff, negociatori special i Trump
-
Jared Kushner, dhëndri i Trump
-
Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
-
Ajay Banga, president i Bankës Botërore
-
Marc Rowan, financier amerikan
-
Përfaqësues të lartë nga OKB-ja, Turqia, Katari, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe
Po ashtu, është paraparë krijimi i një Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, i përbërë nga teknokratë, i cili do të mbikëqyrë rindërtimin e institucioneve civile dhe rikthimin e shërbimeve publike bazë.
Liderë botërorë të ftuar
Në mesin e liderëve që kanë konfirmuar se janë ftuar për t’u bashkuar kësaj iniciative janë presidentë dhe kryeministra nga vende të ndryshme, përfshirë Turqinë, Indinë, Italinë, Brazilin, Egjiptin, Jordaninë dhe Kanadanë.
Trump pritet të japë më shumë detaje rreth përbërjes së plotë dhe funksionimit të Bordit gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos./Qendra.INFO

