Ish-komandanti i forcave të NATO-s gjatë luftës së Kosovës, Wesley Clark, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë shtet anëtar i NATO-s ka furnizuar UÇK-në me armë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.
Gjatë dëshmisë së tij, prokurori Halling e pyeti nëse moskonfirmimi lidhet me çështje konfidencialiteti, por Clark u përgjigj shkurt: “Thjesht nuk e di.”
Më tej, prokurori lexoi një raport të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Robin Cook, i cili theksonte se Mbretëria e Bashkuar kishte marrë raporte nga UÇK-ja gjatë dy javëve të fundit dhe se ato ndihmonin për të kuptuar situatën në terren, por “nuk synohej furnizimi me armë.”
Clark komentoi se kërkesa për ndihmë nga UÇK-ja nuk nënkupton domosdoshmërisht një strukturë të unifikuar komandimi që do të mbështeste NATO-n.
Ai gjithashtu përsëriti se, sipas tij, UÇK-ja nuk kishte një komandë të centralizuar kontrolli.

