Pamjet e Presidentit Donald Trump, i cili duket duke i mbyllur sytë gjatë një eventi në Zyrën Ovale, kanë bërë xhiron e mediave sociale. Fotot janë realizuar gjatë njoftimit për uljen e çmimeve të ilaçeve për humbje peshe dhe tregojnë Trumpin duke fërkuar fytyrën dhe duke “luftuar” të qëndrojë zgjuar.
Kritikët menjëherë ngacmuan çështjen e shëndetit dhe energjisë së presidentit 79-vjeçar, ndërsa Shtëpia e Bardhë mohoi se ai po flinte, duke theksuar se Trump foli gjatë gjithë ngjarjes dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Pamjet kanë risjellë në diskutim debate të mëparshme për shëndetin e presidentit, ndërsa kritikat ironike nuk mungojnë, duke rikujtuar se vetë Trump kishte quajtur Joe Bidenin “i përgjumur” gjatë fushatës së vitit të kaluar.

