Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka tërhequr nominimin e Mark Brnovich për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Serbi, sipas një vendimi të publikuar nga Komisioni i Senatit Amerikan për Punë të Jashtme.
Në vendimin zyrtar nuk janë dhënë arsyet e tërheqjes së nominimit të Brnovich, i cili ishte emëruar në këtë post në fund të muajit mars.
Pas këtij zhvillimi, Brnovich reagoi ashpër, duke fajësuar atë që e quajti “shteti i thellë” për kundërshtimin e tij.
“Faleminderit presidentit Trump për nominimin, por pasi procesi u zvarrit, u bë e qartë se burokracitë e ‘shtetit të thellë’ nuk donin që në Serbi të shërbejë dikush me prejardhje si e imja. Mendoj se është më mirë të qëndroj pranë familjes në Arizona dhe të fokusohem në politikën lokale,” – deklaroi Brnovich.
Ish-prokurori i përgjithshëm i Arizonës dhe anëtar i Partisë Republikane, Brnovich nuk arriti të paraqitej para Komisionit të Senatit që konfirmon emërimet diplomatike.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë aktualisht ambasador në Beograd, që prej janarit 2025, kur ish-ambasadori Christopher Hill u largua nga posti, pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
/ Qendra.info