Një banesë në rrugën “UÇK” në kryeqytet u përfshi nga flakët pasditen e së mërkurës, duke shkaktuar alarm tek banorët e lagjes. Sipas autoriteteve, fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, konfirmoi për media se ekipet reaguan me shpejtësi të menjëhershme pas pranimit të thirrjes në ora 15:05.
“Për fat të mirë, nuk ka të lënduar dhe as persona të pranishëm në banesë gjatë shpërthimit të zjarrit. Falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes profesionale, flakët u lokalizuan në kohë rekord. Po të mos vepronim kaq shpejt, zjarri do të mund të përhapej me shpejtësi në objektet përreth, pasi ndërtesat janë të ndërlidhura mes vete,” deklaroi Gashi.
Ai shtoi se ndërhyrja efikase ka shmangur një tragjedi të mundshme në një zonë të populluar, ku zjarri kishte potencial të përfshinte disa banesa njëkohësisht.
Autoritetet po hetojnë shkakun e zjarrit ndërkohë që banorët janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë dhe të raportojnë çdo situatë të ngjashme në kohë.