Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër ndaj nënkryetares së Kuvendit dhe ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke e quajtur atë “të mjerë” dhe duke e akuzuar se po e mbron Mimoza Kusari-Lilën për interesa personale.
Në një postim në Facebook, Deliu tha se Haxhiu ka mbrojtur Kusari-Lilën edhe pas, siç u shpreh ajo, “dëshmive për harmoninë e plotë të kësaj të fundit me Millan Radojçiqin”.
“Për karrigen e saj, Albulena Haxhiu mbron Mimoza Kusarin edhe kur dëshmohet se është në harmoni të plotë me Millan Radojçiqin. Për karrigen e saj, Albulena Haxhiu akuzon edhe Salë Jasharin e familjes heroike të Prekazit ‘në harmoni të plotë’ me Listën Serbe. E mjerë. Jo vetëm ministrja më e dobët e drejtësisë që ka pasur ndonjëherë Kosova”, ka shkruar Deliu.
Reagimi i saj erdhi pasi Haxhiu deklaroi të mërkurën se partitë shqiptare të ish-opozitës janë në harmoni me Listën Serbe, pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë.
Ngjarja ka nxitur debat të ri politik, me akuzat dhe kundërakuzat për bashkëpunim ose afërsi me Listën Serbe që po vazhdojnë të tensionojnë skenën politike në vend.

