Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka lëshuar pe në zbatimin e Ligjit për të huajt.
Ajo ka thënë se me anë të kësaj po legjitimohen dokumentacionet që lëshohen nga strukturat ilegale serbe.
Kabashi-Ramaj ka thënë se Kurti duke i dhënë mundësinë të marrin qëndrim të përkohshëm për një vit qytetarët serbë, po i bën hisedarë në zbatimin e ligjeve të Kosovës.
“Masat shtesë janë problematike sepse ato lejojnë funksionimin e strukturave ilegale në veri të Mitrovicës. Legjitimohen dokumentacionet që lëshohen prej këtyre autoriteteve dhe i bëjnë hisedarë në zbatimin e ligjieve të Republikë së Kosovës. Pyetja ime për kryeministrin Kurti është a janë shpërndarë strukturat paralele serbe apo jo, a janë hisedarë ata apo jo. Kjo qeveri ka lëshuar pe në zbatimin e këtij ligji. Ky është dallimi. Kryeministri Kurti e ka degraduar temën e dialogut sepse në vazhdimësi ka thënë nuk do të kemi dialog me Serbinë”, ka thënë deputetja e PDK-së në KTV.
Sipas deputetes Kabashi-Ramaj, kryeministri Kurti përveç që po i bën ato që i ka kundërshtuar, po vepron edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Ka shkelje të ligjit sepse neni 3 i Kushtetutës së Kosovës nuk lejon pabarazi. Një kryeministër që erdhi me propaganda në pushtet, po bën jo vetëm ato që i ka kundërshtuar në të kaluarën dhe që nuk kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën por po shkon edhe një hap më tej; po aprovon gjëra që janë shqetësuese për kushtetueshmërinë”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

