Sarajevë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë dhe Hercegovinës ka vendosur t’i heqë mandatin presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Vendimi u mor unanimisht në seancën e sotme.
Sipas Ligjit Zgjedhor të BiH, çdo person i dënuar me të paktën gjashtë muaj burg humb automatikisht mandatin.
Dodik ka të drejtë ankese në Departamentin e Apelit të Gjykatës së BiH, e cila shqyrton ankesat zgjedhore. Pas përfundimit të procedurës së ankesës, vendimi do të bëhet i plotfuqishëm.
CIK ka afat ligjor prej 90 ditësh për të shpallur zgjedhjet e parakohshme për presidentin e Republikës Srpska.
Pas vendimit, Dodik reagoi në rrjetin social X duke e quajtur vendimin “edhe një poshtërsi nga Sarajeva” dhe theksoi se nuk do të lejojë zgjedhje të jashtëzakonshme sa të jetë president i RS.
Nga CIK-u njoftuan se vendimi është marrë sipas procedurës ligjore, njësoj si në rastet e dorëheqjes ose vdekjes së mbajtësit të mandatit. Për shkak të presioneve të fundit ndaj anëtarëve të CIK-ut, disa prej tyre janë vendosur nën mbrojtje policore.
Qeveria e Republikës Srpska, nga ana e saj, ka refuzuar ta njohë vendimin e Gjykatës së BiH, duke e cilësuar atë si të pavlefshëm, antikushtetues dhe politikisht të motivuar.
Milorad Dodik është figurë e njohur politike në rajon që nga vitet ’80, ka qenë disa herë kryeministër i RS dhe tri herë president, si dhe anëtar i Presidencës së BiH.