Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar tri raste të tentimit për futje të mallrave të padeklaruara në territorin e vendit, gjatë kontrolleve të kryera në pikëkalimin kufitar të Vërmicës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të detajuara janë identifikuar mallra që nuk janë paraqitur në procedurat doganore, përfshirë veshmbathje sportive, proteza dentare, tableta, shampona si dhe një sasi e konsiderueshme dërgesash postare me tekstil, këpucë dhe çanta.
Mallrat janë sekuestruar deri në përmbylljen e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë iniciuar procedura për kundërvajtje doganore, sipas Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.
Dogana ka theksuar se kontrollet në pikat kufitare do të vazhdojnë me intensitet, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe mbrojtjes së interesave ekonomike të vendit.

