Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me indinjatë ndaj vendimit të Drejtorisë së Doganave që vulat zyrtare të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, duke eliminuar shqipen nga përdorimi zyrtar. Në një kumtesë për media, Aleanca e cilëson këtë akt si “flagrant antikushtetues” dhe shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe një regres të rrezikshëm në respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Në kumtesë thuhet se ky vendim nuk është rastësi, duke përmendur rolin e zëvendësdrejtorit shqiptar nga radhët e VLER-it, Mustafa Dauti. Aleanca e akuzon atë për “servilizëm politik” dhe për të mos mbrojtur gjuhën dhe dinjitetin e doganierëve shqiptarë. Ata kujtojnë se ky fenomen kulmoi edhe në manifestimin për 33-vjetorin e Doganave, ku programi u zhvillua vetëm në maqedonisht, ndërsa punonjësit shqiptarë u detyruan të flasin maqedonisht në video-mesazh.
Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se çdo tentim për të fshirë gjuhën shqipe nga institucionet shtetërore do të hasë kundërshtim të ashpër politik dhe qytetar. Ata theksojnë se shqipja është gjuhë zyrtare e barabartë, e garantuar me ligj dhe Marrëveshjen e Ohrit, dhe se askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi të.
Në përfundim, Aleanca i bën thirrje Qeverisë, Kuvendit dhe krerëve të VLER-it që të kërkojnë llogari nga drejtuesit e Drejtorisë së Doganave, duke paralajmëruar se heshtja do të shihet si bashkëpjesëmarrje në këtë “linçim të gjuhës shqipe”.