Një gazetar amerikan i specializuar në çështjet e klimës, i cili ishte zhdukur për gati një javë gjatë një udhëtimi në një shteg malor në Norvegji, është gjetur i gjallë. BBC shkruan se lajmin e ka konfirmuar familja e tij.
Alec Luhn, 38 vjeç, ishte zhdukur gjatë një shëtitjeje në një akullnajë në Parkun Kombëtar Folgefonna, në jugperëndim të Norvegjisë. Gruaja e tij, Veronika Silchenko, i tha CBS News-it në SHBA se ai kishte pësuar një dëmtim në këmbë, por ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
“Mendoj se është një mrekulli,” tha Silchenko. “Është dita më e mirë e jetës sime.”
Luhn, i cili ka punuar për disa media të njohura, kishte nisur shëtitjen më 31 korrik nga qyteti Odda, në jugperëndim të Norvegjisë. Ai nuk u paraqit për fluturimin e planifikuar për t’u kthyer në shtëpi të hënën, çka bëri që gruaja e tij Silchenko të njoftonte autoritetet.
Ajo shprehu mirënjohjen për ekipin norvegjez të kërkim-shpëtimit për gjetjen e bashkëshortit të saj dhe tha se po priste të fliste me një mjek për të kuptuar shkallën e dëmtimit të këmbës së tij.
Më herët, Silchenko e kishte përshkruar bashkëshortin e saj si një njeri me shumë përvojë në natyrë, i cili ka shkuar për kamp edhe në kushte të vështira moti.
“Alec është praktikisht i fiksuar pas Arktikut,” tha ajo për CBS. “Ai i do akullnajat dhe borën, dhe i do eksploruesit.”
Si gazetar i çështjeve të klimës, Luhn ka udhëtuar për të dokumentuar zhdukjen e akullnajave që po shkrihen me shpejtësi për shkak të ngrohjes globale.
“Ai po bën ç’të mundet për të shkuar në vendet më të ftohta të botës,” shtoi ajo.
Ai ka raportuar më parë për media si BBC, The Atlantic, National Geographic, The New York Times, Scientific American, Time Magazine dhe CBS.
Vitin e kaluar, ai shkroi për BBC-në rreth “zjarreve zombi” në Kanada, zjarre që digjen gjatë gjithë vitit dhe që besohet se përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.