Jovan Viçentijeviq, i graduar me titullin kolonel në Ushtrinë e Serbisë, dyshohet të jetë personi kryesor në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, të kryer në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas dosjes së siguruar nga Paparaci, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viçentijeviqit, vëllait të tij Dragishës dhe Igor Dimoviqit, për dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, të nevojshme për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike nga KEK-u.
Vepra penale të ngritura nga Prokuroria
Jovan Viçentijeviq akuzohet për:
-
Rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit të infrastrukturës publike
-
Mbajtje të paautorizuar të armëve
-
Spiunazh
Dragisha Viçentijeviq akuzohet për:
-
Rrezikim të rendit kushtetues
-
Mbajtje të paautorizuar të armëve
Igor Dimoviq akuzohet për:
-
Mbajtje të paautorizuar të armëve
Si u krye sulmi në “Ibër-Lepenc”
Aktakuza thotë se më 29 nëntor 2024, të pandehurit vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv TNT, të përdorur zakonisht për qëllime ushtarake, në brendësi të kanalit të “Ibër-Lepencit”. Eksplozivi ishte vendosur me një litar në një shtyllë betoni dhe u aktivizua me fitil zjarrpërcjellës me ndezje të ngadalshme.
Shpërthimi shkaktoi:
-
dëmtim të rëndë të strukturës së kanalit,
-
ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për disa komuna veriore dhe qendrore,
-
pengim të furnizimit me ujë për KEK-un,
-
rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike në nivel vendi.
Dëmi financiar është vlerësuar në 376,774.70 euro.
Arsenal armësh në shtëpitë e të dyshuarve
Gjatë kontrollit të shtëpive të vëllezërve Viçentijeviq në Zubin Potok dhe Prevllak, Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të madhe armatimi, përfshirë:
-
Kallashnikovë A-47
-
Granata dore BRM-75 dhe zolla
-
Qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm
-
Karikatorë të shumtë
-
Pajisje ushtarake, uniforma serbe, ruse dhe të vendeve tjera
-
Radio-lidhje, helmeta, pajisje taktike
Provat për spiunazh
Sipas Prokurorisë, Jovan Viçentijeviq ka vepruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë (VOA), me gradën kolonel. Ai dyshohet se ka mbledhur informacione të klasifikuara në territorin e Kosovës.
Ndër provat kryesore të sekuestruara është një dokument 66-faqësh, i klasifikuar sekret nga KFOR-i, i cili përdorej për operacione në terren. Po ashtu, ai dyshohet se ka vëzhguar lëvizjet e ushtarëve amerikanë, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Jasenovik dhe ka tentuar të krijojë narrativë të dëmshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Statusi i të dyshuarve
Të tre të arrestuarit, kapur në nëntor dhe dhjetor të vitit 2024, ndodhen në paraburgim prej asaj kohe./Qendra.INFO


