Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Dr. Ramadan Maliqi, gjinekologu që vuri themelet e shëndetësisë moderne në Kamenicë dhe Anamoravë

Enesa Veseli by Enesa Veseli
02/01/2026
in Lajme
0
Dr. Ramadan Maliqi, gjinekologu që vuri themelet e shëndetësisë moderne në Kamenicë dhe Anamoravë
0
SHARES
16
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Gjilan – Edhe pse sot gëzon pensionin e merituar, emri i Dr. Ramadan Maliqit mbetet i gdhendur thellë në historinë e shëndetësisë së Kosovës, veçanërisht në rajonin e Kamenicës dhe Anamoravës. Kontributi i tij kolosal në ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve shëndetësore, karriera e pastër profesionale dhe qëndrueshmëria e tij etike përballë presioneve politike e represionit shtetëror të regjimeve serbe, përbëjnë kapituj krenarie që nuk harrohen nga profesionistët e shëndetësisë dhe nga komuniteti në tërësi.

Si mjek gjinekolog, Dr. Maliqi ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në çdo rrethanë historike, para, gjatë dhe pas luftës, duke u shndërruar në një figurë kyçe të mbijetesës dhe avancimit të shërbimeve shëndetësore për nënat dhe gratë shqiptare.

Sot, teksa flet me emocion për të kaluarën, ai kujton me respekt të veçantë kolegun e tij të ndjerë, Dr. Shaban Rexhepi, me të cilin ndau vite pune të ndershme, pa hile dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm në qendrat spitalore të Gjilanit dhe Kamenicës.

Pak kush e di se Dr. Ramadan Maliqi ishte drejtori i parë shqiptar i Qendrës Mjekësore në Kamenicë, si dhe gjinekologu i parë shqiptar në Spitalin e Gjilanit.

Historia e tij profesionale është një rrëfim i jashtëzakonshëm përkushtimi dhe qëndrese, me një të kaluar të pastër kombëtare e profesionale, dhe me një angazhim mobilizues në periudhat më të vështira për shëndetësinë shqiptare në Kosovë.

Duke folur për rajonipress, Dr. Maliqi kujton vitet e rënda kur puna mjekësore zhvillohej nën tehun e dhunës, presioneve politike, kërcënimeve shtetërore dhe ndjekjes së vazhdueshme nga strukturat e UDB-së. Kuadrot shqiptare, veçanërisht ata me afinitete të larta profesionale dhe shkencore, ishin objekt i një përndjekjeje sistematike, sidomos gjatë periudhës 1981-1988.

“Kemi punuar me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jemi arsimuar dhe edukuar ditë e natë për ta mposhtur injorancën dhe diskriminimin e kuadrove serbe që na pengonin në avancime dhe gradime shkencore. Përveç dijes dhe fuqisë intelektuale, duhej të tregoje kujdes ekstrem dhe korrektësi absolute, pa lejuar asnjë gabim. Kjo ishte një barrë e dyfishtë, por ia dolëm sepse kishim një motiv të fuqishëm, t’i shërbenim popullit tonë dhe nënave shqiptare,” thekson dr. Maliqi.

Rrugëtimi i tij për funksionalizimin e shëndetësisë në Kamenicë dhe Anamoravë nuk ishte i lehtë. Ai u përball me pengesa të vazhdueshme nga individë dhe struktura politike që shërbenin regjimin e atëhershëm, të cilët e ndiqnin çdo hap me presione, frikësime, sanksione dhe barriera ligjore. Për shkak të angazhimit të tij për avancimin e kuadrove shqiptare, shpesh u bë objekt sulmi dhe largimi nga skena institucionale.

“Në fund të vitit 1981 u largova nga puna për shkak të rolit tim konstruktiv. Në vitin 1992, bashkë me të gjithë drejtorët shqiptarë, u larguam dhunshëm nga institucionet. Megjithatë, edhe në ato kohë të errëta kishte njerëz me integritet dhe autoritet që më përkrahën pa kushte, si Sejdi Berisha, ish-kryetar i komunës, dhe Milaim Zeqiri, ish-udhëheqës komunal,” kujton ai.

Ndryshe, Dr. Ramadan Maliqi ka lindur më 15 shkurt 1948 në fshatin Busavatë të Komunës së Kamenicës. Shkollën fillore e përfundoi në Koretinë, ndërsa gjimnazin, drejtimi matematikor, në Gjilan. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup, ku më pas përfundoi edhe specializimin në Gjinekologji dhe Obstetrikë.

Karrierën profesionale e nisi në Shtëpinë e Shëndetit në Kamenicë, ku shumë shpejt u emërua drejtor. Gjatë asaj kohe, ai trashëgoi një sistem të rrënuar financiarisht dhe organizativisht, me struktura të dominuara nga stafi serb.

Me vendosmëri, ai funksionalizoi ambulancat rurale, hapi njësi të reja shëndetësore, vendosi orare të rregullta pune për mjekë dhe infermierë dhe aplikoi për herë të parë sterilizimin modern të instrumenteve mjekësore.

Falë angazhimit të tij, struktura nacionale e stafit u përmirësua ndjeshëm, duke reflektuar realitetin demografik të popullsisë shqiptare. Pas periudhave të përjashtimit institucional, ai vazhdoi punën në Prizren, më pas në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku u shqua si pionier i gjinekologjisë shqiptare në Anamoravë.

Pas luftës, u emërua administrator i përkohshëm nga Qeveria e Përkohshme Komunale dhe më pas shërbeu si shef i sallës së lindjes deri në pensionim, duke e mbyllur karrierën e tij ashtu siç e nisi, me profesionalizëm, dinjitet dhe përkushtim ndaj jetës.

Dr. Ramadan Maliqi mbetet një figurë emblemë e mjekësisë kosovare, një mjek, drejtues dhe intelektual që i qëndroi besnik etikës profesionale dhe misionit human në kohët më të vështira të historisë sonë.

Pak biografi nga historia profesionale e dr. Ramadan Maliqit

Pas përfundimit të studimeve, u punësua në Shtëpinë e Shëndetit në Kamenicë. Pas një kohe të shkurtër u emërua drejtor i kësaj shtëpie shëndetësore, duke qenë drejtori i parë shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë marrjes së detyrës hasi në një gjendje të rëndë kaotike, të shoqëruar me dënime dhe arrestime për shkak të keqpërdorimeve financiare, si dhe me vështirësi serioze financiare dhe organizative. Struktura e të punësuarve dominohej nga serbët, të cilët përbënin mbi 50% të stafit.

Me përkushtim filloi rregullimin e gjendjes financiare dhe organizative. Shumë ambulanca në fshatra ishin joaktive, pa mjekë dhe teknikë mjekësorë, ai i funksionalizoi të gjitha ambulancat ekzistuese dhe hapi ambulanca të reja në fshatra ku nuk kishte shërbime shëndetësore. Mjekët në çdo ambulancë punonin dy herë në javë, ndërsa infermieret punonin me orar të plotë. Për herë të parë u aplikua sterilizimi i instrumenteve dhe shiringave me sterilizim të thatë (sterilizatorë).

Pranimi i punëtorëve të rinj përmirësoi ndjeshëm strukturën nacionale të stafit, duke arritur rreth 70% në favor të shqiptarëve, në përputhje me përbërjen e popullsisë. Për këto aktivitete kishte përkrahjen e plotë të ish-kryetarit të komunës, Sejdi Berisha.

Kjo punë nuk i konvenoi Komitetit Komunal, i cili udhëhiqej nga një serb, ndaj u vendosën masa të dhunshme. Në fund të vitit 1981, pas vendosjes së këtyre masave, u largua nga puna me arsyetimin se kishte punësuar disa punëtorë dhe mjekë që, sipas Komitetit Komunal, nuk ishin ideopolitikisht të përshtatshëm, duke u cilësuar si persona me aktivitete irredentiste.

Pas përfundimit të specializimit në Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, nuk iu lejua të vazhdonte punën në institucionin ku kishte kryer specializimin. Për një periudhë prej një viti mbeti pa punë, më pas u punësua në Qendrën Mjekësore në Prizren, në repartin e Gjinekologjisë.

Pas një viti pune, me iniciativën dhe ndihmën e ish-udhëheqësit komunal, Milaim Zeqiri, u kthye dhe u punësua në Spitalin Rajonal të Gjilanit, duke qenë gjinekologu i parë shqiptar në Anamoravë.

Pas një kohe të shkurtër u emërua drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gjilan, detyrë që e ushtroi deri në vitin 1988, kur u shkarkua, së bashku me të gjithë drejtorët shqiptarë. Pas vendosjes së masave të dhunshme, në vitin 1992 u largua nga puna dhe filloi të punojë në ordinancën e tij private gjinekologjike “Nataliteti”, si dhe në Spitalin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Pas përfundimit të luftës, nga Qeveria e Përkohshme Komunale u emërua administrator i përkohshëm deri në shpalljen e konkursit. Më pas ka shërbyer si shef i sallës së lindjes deri në pensionim./rajonipress/

Related

Previous Post

Mbi 117 mijë kosovarë me qëndrim në Zvicër gjatë këtij viti, vetëm 13 u pajisën me vizë “D” të punës

Next Post

Izraeli nis sulme ajrore në jug të Libanit

Next Post
Izraeli nis sulme ajrore në jug të Libanit

Izraeli nis sulme ajrore në jug të Libanit

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.