Dy raste të sulmit ndaj zyrtarëve policorë janë regjistruar të mërkurën në qytetin e Pejës, brenda një intervali prej më pak se 30 minutash.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur rreth orës 09:09 në rrugën “Iljaz Pashë Dibra”, ku një person i dyshuar ka sulmuar policët gjatë kryerjes së detyrës.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka rezistuar dhe njëri nga zyrtarët është detyruar të përdorë sprej. Si i dyshuari ashtu edhe një polic kanë marrë trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Vetëm pak minuta më vonë, në rrugën “Nëna Terezë”, policia ka arrestuar tre persona të tjerë që dyshohen se kanë ofenduar, kanosur dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.
Në këtë rast, një polic ka kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, dhe dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se në të dy rastet po vazhdojnë hetimet.

