Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunën e Suharekës, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë në një aksident trafiku që ka ndodhur në fshatin Dobërdelan.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, viktima është Ismet Bylykbashi, rreth 58-vjeçar, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai humbi jetën si pasojë e përplasjes mes automjetit që po drejtonte dhe një kamioni.
Bashkëshortja e tij, e cila ndodhej në automjet, ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet, pasi i ndjeri Bylykbashi njihej për kontributin e tij gjatë luftës në radhët e UÇK-së./Qendra.INFO

