Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka konstatuar shkelje të shumta ligjore dhe teknike në aktivitetin e prokurimit të Komunës së Gjilanit për “Rregullimin e parqeve dhe hapësirave publike në zonën urbane të qytetit”, me vlerë të parashikuar mbi 1.1 milion euro, duke rekomanduar korrigjimin e dosjes së tenderit dhe shtyrjen e afatit për ofertim, shkruan Demokracia.com.
Gjetjet dalin nga Raporti i Ekspertit Shqyrtues Bekim Lushaku, i hartuar pas ankesës së një operatori ekonomik, i cili kishte kundërshtuar kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktues, duke i cilësuar ato si joproporcionale, të panevojshme dhe kufizuese për konkurrencën.
Sipas ekspertit, një numër i madh kriteresh teknike dhe profesionale të përfshira në dosjen e tenderit nuk lidhen drejtpërdrejt me objektin e kontratës, që ka të bëjë kryesisht me punime standarde në parqe dhe hapësira publike. Raporti thekson se kërkesa për certifikime të shumta ISO për individë, përvojë të lartë profesionale të grumbulluar në një person të vetëm, si dhe pajisje specifike e të rralla, krijojnë barriera të panevojshme për pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë

Eksperti vlerëson se këto kritere bien ndesh me parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, përfshirë barazinë e trajtimit, mosdiskriminimin dhe përdorimin efikas të fondeve publike.
Raporti evidenton gjithashtu shkelje procedurale nga ana e Komunës së Gjilanit, përfshirë mosshqyrtimin në afat të kërkesës për rishqyrtim dhe mungesën e arsyetimit individual për secilin pretendim të operatorit ankues. Sipas ekspertit, këto veprime cenojnë transparencën dhe të drejtën e operatorëve ekonomikë për trajtim të drejtë në procedurat e prokurimit.
Në disa raste, kriteret teknike për pajisje si eskavatorë me krahë të gjatë, cilindër ngjeshës shumë të rëndë apo kamionë me specifikime të kombinuara, janë cilësuar si teknikisht të pajustifikuara, pasi nuk përputhen me natyrën reale të punimeve të parashikuara në paramasë.
Në përfundim, eksperti i propozon Panelit Shqyrtues të OSHP-së që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar, ndërsa Autoriteti Kontraktues të bëjë përmirësimet e nevojshme në dosjen e tenderit dhe të zgjerojë afatin për ofertim, në mënyrë që të garantohet konkurrencë reale dhe respektim i ligjit.
Ky rast nxjerr në pah edhe një herë problematikat e vazhdueshme në hartimin e dosjeve të tenderëve nga institucionet publike, ku kriteret e tepërta dhe jo proporcionale rrezikojnë të dëmtojnë konkurrencën dhe të cenojnë interesin publik.
Në praktikën e prokurimit publik, vendosja e kritereve joproporcionale ose të kundërligjshme nga autoritetet kontraktuese shpesh lidhet me përpjekjen për të ngushtuar garën dhe për t’ia përshtatur procedurën një operatori të caktuar ekonomik, duke përdorur kërkesa teknike, profesionale apo pajisje specifike që nuk burojnë nga nevoja reale e projektit. Këto kritere zakonisht maskohen si “standarde cilësie” ose “siguri teknike”, por në thelb shërbejnë për të përjashtuar konkurrencën dhe për të krijuar avantazh të padrejtë. Megjithatë, pavarësisht këtyre dyshimeve, konstatimi përfundimtar i shkeljeve dhe rrëzimi ose jo i këtyre praktikave i takon Panelit Shqyrtues të OSHP-së, i cili, mbi bazën e raportit të ekspertit dhe provave të administruara, merr vendimin final në përputhje me ligjin. /Demokracia.com/

