Shqipëria po përballet me një krizë të thelluar demografike, ku emigracioni masiv dhe rënia e lindshmërisë ndër vite po ndikojnë direkt në plakjen e popullsisë dhe tkurrjen e fuqisë punëtore, me pasoja të drejtpërdrejta për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave të Censit 2023, popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) ka pësuar një ulje me rreth 349 mijë vetë krahasuar me vitin 2011 – një rënie prej 18,3%, më e thellë se rënia e përgjithshme e popullsisë, që ishte rreth 14%.
Rënia më e fortë te të rinjtë
Rënia më shqetësuese është regjistruar te grupmoshat më të reja:
-
15-19 vjeç: -46.8%
-
20-24 vjeç: -41.2%
-
25-29 vjeç: -24.9%
Kjo tkurrje, sipas ekspertëve, lidhet me emigracionin masiv të të rinjve dhe rënien e lindshmërisë në dekadën e fundit, duke e lënë Shqipërinë gjithnjë e më shumë pa fuqi të re punëtore.
Rritet pesha e moshave të vjetra
Në të kundërt, ka pasur rritje të popullsisë në moshë pune në segmentet më të vjetra, veçanërisht:
-
60-64 vjeç: +48.8%
-
55-64 vjeç: +9.6%
Kjo rritje nuk vjen nga shtimi i lindjeve, por nga kalimi i brezave të mëparshëm në moshat më të avancuara, duke sjellë një plakje graduale të popullsisë aktive.
Pjesëmarrja në tregun e punës
Të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje të qëndrueshme të pjesëmarrjes në tregun e punës për moshat 25–54 vjeç (nga 83.2% në 2019 në 87.6% në 2024), dhe një rritje domethënëse për grupmoshën 55–64 vjeç, që arriti mbi 75% në 2024.
Ndërkohë, të rinjtë 15–24 vjeç vazhdojnë të kenë pjesëmarrje të ulët e të paqëndrueshme (32-40%), duke reflektuar vështirësi për integrim në tregun e punës, ndikuar nga arsimi, mungesa e mundësive, papunësia apo emigracioni.
Një zhvillim befasues është rritja e pjesëmarrjes në punë të moshave mbi 65 vjeç, që në 2024 ka kaluar 25%, nga rreth 14-16% në vitet 2019–2020, duke shtuar presionin për reforma në sistemin e pensioneve dhe përfshirjen e të moshuarve në ekonomi.
Përballë kësaj sfide, ekspertët kërkojnë politika urgjente për:
-
Nxitjen e lindshmërisë
-
Ndalimin e emigracionit të të rinjve
-
Krijimin e kushteve për integrimin e të rinjve në tregun e punës
-
Reformimin e sistemit arsimor dhe të trajnimit profesional
Nëse këto masa nuk ndërmerren, Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë të zgjatur të fuqisë punëtore dhe me zhvillim të ngadalësuar ekonomik në dekadat që vijnë.