Që nga mandati që presidentja Vjosa Osmani i dha Glauk Konjufcës më shumë se një javë më parë, mandatari i ri nuk ka ndërmarrë ende hapa konkretë për të siguruar votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.
Presidentja Osmani e kishte arsyetuar vendimin për mandatimin e Konjufcës duke u mbështetur në Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ky hap synon ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, deri tani, Konjufca nuk është parë të zhvillojë takime me partitë opozitare për të negociuar mbështetje, dhe nuk ka sinjale për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit. Opozita ndërkohë mbetet e prerë: zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, duke kundërshtuar çdo bashkëpunim me Vetëvendosjen.
Mandatari ka afat deri më 19 nëntor për të paraqitur kabinetin qeveritar, i cili duhet të marrë të paktën 61 vota. Javë më parë, kandidati i parë për kryeministër, Albin Kurti, mori vetëm 56 vota dhe nuk arriti të sigurojë shumicën.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se ka marrë kërkesa për takim nga Konjufca, por i ka vlerësuar ato të panevojshme.
“Kemi një vlerësim për figurën e z. Konjufca, por krijimi i një qeverie është proces tjetër. Kushdo që merr përgjegjësitë duhet të sigurojë votën. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim apo kërkesë bashkëpunimi nga VV-ja. Ka kërkesa për takime, por nuk mendoj që ia vlen,” është shprehur Haradinaj.

