Në fjalimin e tij para delegatëve në konventën e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj u ndal tek rëndësia historike e kësaj ngjarjeje dhe procesi i brendshëm demokratik që PDK po zhvillon. Ai kujtoi se nga kjo konventë ndër vite janë zgjedhur figura të rëndësishme të politikës kosovare, si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Hoxhaj tha se kishte kërkuar që konventa të shtyhej për një javë në mënyrë që, siç u shpreh ai, “mes kohës dhe kualitetit të zgjidhet kualiteti”, duke nënvizuar nevojën për një proces të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës.
Ai gjithashtu konfirmoi se mbrëmë është takuar me Bedri Hamzën, kandidatin tjetër të fuqishëm brenda garës së PDK-së, dhe se mes tyre nuk ka asnjë keqkuptim.
Sipas Hoxhajt, bashkëpunimi dhe uniteti brenda partisë janë thelbësorë për të ardhmen e PDK-së, ndërsa konventa e sivjetme synon të vendosë standarde të reja në proceset e brendshme politike.

