Një person i maskuar, me veshje të errëta dhe pamje të pazakontë, është parë duke lëvizur gjatë orëve të vona të natës në disa rrugë të Prishtinës, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim te qytetarët.
Sipas qytetarëve që kanë dërguar foto dhe ankesa në redaksi, personi shfaqet papritur në rrugë të ndryshme të kryeqytetit dhe ecën pas kalimtarëve, duke krijuar ndjesi pasigurie. Për shkak të pamjes së tij, ata e kanë quajtur figurën misterioze “Fantazma e Prishtinës”.
Fotoja e siguruar nga qytetarët tregon një person të maskuar me fytyrë të bardhë, i veshur me pallto të zezë dhe kapelë, i cili shihet duke ecur natën në një nga rrugët e ndriçuara të qytetit, rrespektivisht tek “Rruga C”
Pamja ka nxitur reagime të shumta edhe në rrjete sociale, ku disa e konsiderojnë si shaka, ndërsa të tjerë shprehin frikë reale.
Deri më tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me këtë rast, ndërsa nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë performancë, provokim apo sjellje që cenon rendin dhe sigurinë publike.
Qytetarët kërkojnë më shumë prezencë policore gjatë natës dhe sqarim institucional, për të shmangur panikun dhe për të garantuar sigurinë në hapësirat publike./Qendra.INFO

