Mitrovicë, 12 nëntor 2025 — Kryetari i ardhshëm i Komunës së Mitrovicës dhe ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se do të deponojë kallëzim penal ndaj pronarit të RTV Dukagjinit, Ekrem Lluka, gazetarit Lirim Mehmetaj dhe drejtuesit të emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri.
Sipas Pecit, këta persona kanë zhvilluar një fushatë të orkestruar shpifjesh dhe gjuhë urrejtjeje ndaj tij.
Në reagimin e bërë publik, Peci shpjegon se gjatë emisionit “Debat Plus” të transmetuar më 11 nëntor 2025, gazetari Lirim Mehmetaj e ka quajtur atë “kriminel” dhe e ka krahasuar me Sllobodan Millosheviqin, të njohur si “Kasapi i Ballkanit”.
“Ky krahasim absurd dhe i qëllimshëm është ofendim i rëndë dhe rrezik për jetën time dhe të familjes sime. Krahasimi me një nga kriminelët më të mëdhenj të njerëzimit synon të më denigrojë personalisht dhe politikisht”, ka theksuar Peci.
Ai shton se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj Lirim Mehmetajt për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, si dhe ndaj RTV Dukagjinit dhe drejtuesve të tij për lejimin dhe nxitjen e gjuhës denigruese e përçarëse.
“Në shtëpinë mediale të Ekrem Llukës është dizajnuar e orkestruar një fushatë kundër meje, e cila ka zgjatur më shumë se një vit e gjysmë. Nuk është e mundshme që kjo të ndodhë pa dijeninë dhe drejtimin e tij”, ka shkruar Peci.
Sipas tij, qëllimi i kësaj fushate ka qenë “njollosja e figurës së tij publike dhe pengimi i suksesit elektoral në Mitrovicë”.
Në fund, Peci paralajmëron se përveç kallëzimit penal, do të dorëzojë edhe ankesë në Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), duke kërkuar hetim ndaj RTV Dukagjinit për shkelje të etikës profesionale dhe përdorim të platformës televizive për nxitje urrejtjeje dhe shpifje./Qendra.INFO

