15 tetor 2025 | Mitrovicë e Jugut – Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka paralajmëruar padi penale ndaj disa gazetarëve dhe shefit të UBO Consulting, lidhur me, siç thotë ai, manipulime dhe ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor lokal.
Peci, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se pas “analizës së thellë të procesit zgjedhor” dhe shqyrtimit të “dëshmive të manipulimeve”, ka vendosur të procedojë rastin në organet e drejtësisë.
“Do të dorëzojmë padi penale ndaj Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit dhe të tjerëve, për dyshimin e bazuar të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve dhe të falsifikimit të rezultateve të votimit,” ka shkruar Peci.
Sipas tij, gjatë ditës së zgjedhjeve disa media dhe individë të lidhur me “grupe të jashtëligjshme interesi” kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara për të ndikuar në rezultatin përfundimtar. Ai akuzoi për publikimin e “exit poll”-eve të paligjshme, që sipas tij “nuk pasqyruan aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë”.
“Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte krijimi i konfuzionit dhe tentimi për të devijuar jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve,” ka theksuar Peci.
Kandidati i Vetëvendosjes tha se gjatë ditëve në vijim do të publikojë fakte dhe dëshmi shtesë për rastin dhe u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë për trajtim urgjent dhe të drejtë të çështjes.
“Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike. Mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është prioriteti ynë kryesor,” ka përfunduar ai.