Mitrovicë, 10 nëntor 2025 – Kandidati i LVV–Guxo për Komunën e Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas fitores në balotazhin e mbajtur në këtë komunë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe duke premtuar qeverisje gjithëpërfshirëse.
Peci u shpreh se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie.
“Nga sot, Mitrovica do të ketë qeverisje që dëgjon, që reagon dhe që mban fjalën. Buxheti i komunës do të kthehet në projekte konkrete – në infrastrukturë, arsim, shërbime cilësore dhe hapësira të denja për jetën e përditshme. Të rinjtë tanë duhet ta shohin të ardhmen e tyre këtu, në Mitrovicë,” ka shkruar Peci në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Ai shtoi se Mitrovica është qyteti i minatorëve që i kanë dhënë shumë Kosovës dhe se puna e tij do të udhëhiqet nga fryma e përbashkët e qytetarëve.
“Mitrovica është qyteti i minatorëve – atyre që i dhanë shumë Kosovës. Çdo ditë e tyre fillon me urimin ‘Me fat’, dhe le të jetë pikërisht fati që do ta shoqërojë punën tonë të përbashkët për qytetin,” tha Peci.
Në rundin e dytë të balotazhit, Faton Peci arriti fitore ndaj kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri, duke marrë drejtimin e Komunës së Mitrovicës.

