Mitrovicë e Jugut, 31 tetor 2025 – Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se po ndiqet me pistoleta nga persona që, sipas tij, janë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Çdo lëvizje e imja në Mitrovicë është nën vështrimin e banditëve të PDK-së, më ndjekin edhe me pistoleta”, tha Peci në një intervistë për TV1 ditë më parë.
Megjithatë, sipas burimeve të Periskopit brenda Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Jugut, deri më tani nuk është paraqitur asnjë ankesë apo kallëzim penal nga Peci lidhur me këtë rast.
Edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka konfirmuar për Periskopin se nuk ka pranuar ndonjë padi apo kallëzim nga kandidati i Vetëvendosjes.
Deklaratat e Pecit kanë ngjallur reagime në opinionin publik, ndërsa disa i kanë cilësuar si pjesë të fushatës zgjedhore në garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Peci nuk ka reaguar më tej për të sqaruar nëse do ta raportojë rastin tek organet kompetente.

